Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi në Kuvend miratimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e modernizimit të Forcave të Armatosura, duke e cilësuar atë një marrëveshje historike për sigurinë kombëtare dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Në fjalën e tij gjatë seancës plenare, Balla tha se marrëveshja me vlerë 302 milionë dollarë është një dëshmi e besimit që SHBA ka ndaj Shqipërisë dhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të vendit në sigurinë euro-atlantike.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë. Ajo shkon përtej termave financiarë dhe është një dëshmi konkrete e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë, si edhe e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan në sigurinë euro-atlantike”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se fondet do të përdoren ekskluzivisht për modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura përmes programit Foreign Military Sales, duke mundësuar blerjen e pajisjeve, sistemeve dhe shërbimeve sipas standardeve të NATO-s.
Balla nënvizoi se buxheti për mbrojtjen është trefishuar gjatë viteve të fundit, nga 24.1 miliardë lekë në vitin 2020 në 69.2 miliardë lekë në vitin 2026, ndërsa Shqipëria tashmë shpenzon 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe mbështet objektivin e NATO-s për ta çuar këtë nivel në 5% deri në vitin 2035.
Sipas tij, organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë përbën një vlerësim të rolit të Shqipërisë në Aleancë, ndërsa vendi po përgatitet për fazën e re të zhvillimit të saj, të njohur si “NATO 3.0”.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së sqaroi se fondet do të disbursohen vetëm sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pas miratimit nga autoritetet amerikane. Shqipëria do të ketë 48 muaj për të angazhuar fondet, ndërsa kredia parashikon një afat shlyerjeje deri në 12 vjet, me mundësi periudhe grace deri në një vit dhe të drejtën për parapagim pa penalitete.
Në përfundim, Balla u bëri thirrje deputetëve të mbështesin ratifikimin e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, duke theksuar se ajo forcon partneritetin strategjik me SHBA-në, rrit kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një aleate e besueshme në NATO.
