Dalja nga lista gri e pastrimit të parave është vlerësuar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, si rezultat i një pune të madhe dhe të mirë koordinuar të institucioneve shqiptare. Deklaratat u bënë gjatë mbledhjes vjetore të komitetit bashkërendues të luftës kundër pastrimit të parave, i mbajtur sot nën drejtimin e drejtimin e Ballukut dhe ne pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve që janë pjesë e këtij Komiteti.
Në fjalën e saj hapëse, zv/kryeministrja e cilësoi vitin 2023 si një vit të suksesshëm sa i takon arritjeve që ka bërë vendi ynë në këtë drejtim dhe që u finalizuan edhe me daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF.
“Më duhet të theksoj se ky moment pozitiv për Shqipërinë ka ardhur si rezultat i një pune shumë të madhe të të gjithëve ne, ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK, institucione të cilat kanë mbështetur punën e institucioneve tradicionale ligj zbatuese duke dhënë impaktin e daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF. Ky takim i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është një angazhim i përbashkët për të vijuar luftën kundër krimit financiar në përgjithësi dhe në veçanti pastrimit të parave përmes hetimeve, dënimeve, sekuestrimeve dhe konfiskimeve”, bëri të ditur Balluku.
Zv/kryeministrja shtoi më tej se qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë luftës kundër pastrimit të parave duke rritur kapacitetet institucionale, si dhe investimet në sistemet e teknologjisë së informacionit, me synim rritjen e efikasitetit. Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi midis institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i Qeverisë Shqiptare, tha Balluku.
“Synojmë, të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6 mujorit të parë të vitit 2024. Kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij Komiteti”, sqaroi zv/kryeministrja.
Duke falënderuar të gjithë aktorët e angazhuar në këtë drejtim, zv/kryeministrja Balluku theksoi nevojën, rëndësinë që ka bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve për parandalimin e pastrimit të parave.
