Ish-Presidenti Bamir Topi është shfaqur mjaft kritik ndaj qeverisë “Rama 3”, të cilit i kujton se skandalet në vend po përpiqet t’i mbulojë me takime personalitetesh ndërkombëtare.
“Nëse do më pyesni se cila është arsyeja se edhe sezoni i verës ka qenë i mbushur me politikë, tregon se aktorët kryesorë politik, nuk mendojnë në mënyrë të ftohtë, për të ndjekur secili atë rregullin e jetës, por mendojnë si të projektojnë të ardhmen e tyre në pushtet. Një vend që ka inflacion ligjërimesh politike, në atë vend gjërat nuk shkojnë mirë.
Unë si një aktor i vjetër i politikës, e kam parë këtë verë politike si njerëz që janë në hall. Por nëse shkon përtej deklaratave dhe sinqeriteti i tyre, shihet se halli i tyre nuk është halli i njerëzve. Kur gjërat nuk funksionojnë, atëherë gjërat do të mbulohen me zhurmë.
Një qeveri e dobët, në mënyrë absolute shumë e dobët, një Kryeministër shumë i dobët, që përveç ekstravagancës në komunikim nuk të ofron asnjë besim për të udhëhequr Shqipërinë në sfida më të forta, që është aktor minor, që tenton të mbulojë skandalet në vend përmes takimeve me personalitete botërore, kjo është arsyeja që them se performaca është personalizuar, dhe kjo qeveri ka atë që i mungon Shqipërisë, transparencë”.