Izraeli ka arritur të shënojë golin e barazimit në minutën e 58-të me anë të Solomon.
Shqipëri-Izrael është ndeshje për t’u fituar me çdo kusht nga kuqezinjtë për të marrë vendin e parë në grup në Ligën e Kombeve. Skuadrat janë në kuotën e 1 pike pas një ndeshje të luajtur dhe kush merr pikët e plota, kapërcen Islandën e cila ka regjistruar deri tani dy barazime.
Si rrjedhojë trajneri Edi Reja ka vendosur që të bëjë ndryshime të mëdha duke propozuar një skuadër më ofensive ndaj izraelitëve, ashtu siç i kërkon opinioni publik prej kohësh. Por ndryshimet në mënyrë të papritur fillojnë që me mbrojtjen, siç kishte paralajmëruar Panorama Sport, pasi Kumbulla ulet në stol për t’i bërë vend Veselit.
Ndërkohë, në mesfushë do të luajnë titullarë Asllani e Bajrami përkrah Abrashit, kurse sulmi do të përbëhet nga dyshja Broja-Uzuni e cila mungoi në Islandë për shkak të problemeve shëndetësore.
LIVE SHQIPËRI-IZRAEL 1-1
45’+2′ (p) Broja 57′ Solomon
MINUTË PAS MINUTE
57’ GOOOL Izraeli. Aksion i shpejtë në krahun e majtë për miqtë me Solomon i cili kalon dy lojtarë dhe pastaj lëshon një gjuajtje të forte që përfundon në rrjetën e Berishës.
55’ Broja mbetet në këmbë pas dy ndërhyrjesh të kundërshtarëve dhe vazhdon aksionin. Më pas ai merr një pasim në të djathtën dhe nis topin në qendër, por askush nuk ndjek sulmuesin kuqezi për të përfituar.
52’ Shqipëria është më e tërhequr në fillimin e pjesës së dytë, duke lejuar Izraelin që të bëjë presing të lartë, për të synuar kundërsulme që të gjejë në befasi prapavijën kundërshtare.
48’ Një tjetër aksion i rrezikshëm i Izraelit në krahun e majtë të sulmit, sjell një gjuajtje nga jashtë zonës për Peretz, i cili nuk gjen katërkëndorin duke fluturuar topin mbi traversë.
46’ Gjuajtje e fortë e të sapofuturit Safuri, i cili vë në vështirësi Berishën por gardiani kuqezi kontrollon.
46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim te Izraeli pasi Karzev i lë vendin në fushë Safurit.
45’+3’ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e Shqipërisë.
45’+2’ Gol Shqipëria. Shënon Broja me penallti.
45’ Penallti për Shqipërinë. Pas një kundërsulmi është Abrashi ai i cili gjen Balliun dhe ky i fundit rrëzohet në zonë nga mbrojtja kundërshtare.
42’ Abada nga e djathta harkon për Vaisman, por nuk gjen shokun e skuadrës me Berishën i cili sheh sferën që shkon jashtë.
40’ Shpërthim spektakolar i Brojës në krahun e majtë, sulmuesi shmang Vitor por më pas nuk ai del të pasojë në qendër për Uzunin.
39’ Qarkullim i gjatë i topit i izraelitëve, të cilët po mundohen të gjejnë një hapësirë në prapavijën shqiptare.
36’ Kundërsulm i kuqezinjve me Bajramin i cili vendos të pasojë te Broja në të majtën dhe jo te Uzuni që ndoshta ishte në pozicion më të mirë. Gjuajtja e Brojës ndalet nga Marçiano.
33’ Tre harkime radhazi në zonën e Izraelit nga goditje këndi apo dënimi për Shqipërinë, por përsëri mbrojtja mike dhe Marçiano arrijnë të largojnë rrezikun.
29’ Izraeli i afrohet golit të parë pas një goditje nga këndi. Harkimi nga e majta gjen Vitor i cili gjuan me kokë por për fat nuk gjen kuadratin me topin që përfundon jashtë ngjitur me shtyllën në të majtë të Berishës.
27’ Pas një goditje nga këndi, Ismajli me kokë devijon sferën por nuk gjen kuadratin për shkak të një devijimi të mbrojtjes.
25’ Rasti i penalltisë ka ulur pak ritmin e sfidës për këto minuta.
23′ Tiago Martins ftohet të shohë pamjet me VAR. Pas dy minutash jepet vendimi. Nuk ka penallti për Shqipërinë. Loja vazhdon.
22′ Uzuni kontrollon topin me gjoks dhe sfera përplaset me dorën e Viktor. Penallti për Shqipërinë.
17’ Goditja e dënimit e harkuar në zonë përfundon me një gjuajtje të Ismajlit që nuk gjen kuadratin e portës së Izraelit.
16’ Broja mundohet të niset drejt zonës kundërshtare, por ndalet në mënyrë të të parregullt nga Karzev i cili ndëshkohet me karton të verdhë.
14’ Kuqezinjtë fitojnë disa faulle radhazi por harkimet në zonë nuk gjejnë lojtarët e kërkuar për të tentuar portën.
10’ Rreziku i parë në portë është i izraelitëve të cilët me Solomon nga e djathta tentojnë të gjejnë hapësira. Sulmuesi gjuan por nuk gjen katërkëndorin e Berishës.
6’ Uzuni nga e djathta nis topin në qendër, mbrojtja izraelite largon rrezikun duke dhuruar një goditje nga këndi. Në ekzekutimin e saj, asnjë nga lojtarët e Shqipërisë nuk devijon para portës edhe pse janë të shumtë në zonën kundërshtare.
6’ Uzuni nga e djathta nis topin në qendër, mbrojtja izraelite largon rrezikun duke dhuruar një goditje nga këndi. Në ekzekutimin e saj, asnjë nga lojtarët e Shqipërisë nuk devijon para portës edhe pse janë të shumtë në zonën kundërshtare.
4’ Izraelitët e nisin ndeshjen në mënyrë agresive duke detyruar kuqezinjtë që të mos ndërtojnë aksione nga mbrapa dhe në këto momente vetëm të nisin topa të gjatë drejt Uzunit e Brojës.
1’ Nis dueli në “Air Albania”.
0’ Vonesa në nisjen e ndeshjes për shkak të hedhjes së letrave në fushë nga tifozët e Shqipërisë pas një prej portave.
FORMACIONET ZYRTARE
Shqipëria: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Hysaj, Balliu, Asllani, Abrashi, Bajrami, Broja, Uzuni.
Trajner: E. Reja
Izraeli: Marçiano, Dasa, Goldberg, Vitor, Leidner, Peretz, Karzev, Xhaber, Solomon, Abada, Vaisman.
Trajner: A. Hazan