Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është përgjigjur paralajmërimit që i bëri kryebashkiaku Mark Babani, për shpifje lidhur me akuzat se ka qenë i arrestuar në Itali më 4 prill 1994. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë se gjatë kohës që i përgatit padinë, Babani duhet të përgjigjet, se në cilin hotel ka fjetur më 24 janar 1996.
Reagimi i plotë:
Mark Babaj bën shumë mirë që paska avokatë, se do t’i duhen për të negociuar vitet e burgut për fshehje të faktit që është arrestuar për vjedhje makinash në Siçili më në 4 Prill 1994. Derisa të bëjë gati padinë ndaj meje, të përgjigjet edhe për një fakt tjetër nga jeta e tij nëpër “hotelet” e Italisë. Në datën 24 Janar 1996 në cilin hotel ke bujtur?
Nëse për këtë Marq Babaj nuk e ka kujtesën shumë të fortë, do t’ia rifreskojmë në vazhdim. Mirë është që hajduti i makinave të Siçilisë të mos ia qajë hallin Edi Ramës, se atij i duhet avokat për vete.
p.s: Kur Marq Babaj të më padisë, të më njoftojë me cilin nga 4-5-6-7 emrat që ka përdorur Mark Babani i Edi Ramës për t’iu fshehur drejtësisë italiane, duhet ta kërkoj në sistemin e gjykatës.
Ditën e sotme, PD publikoi dokumentet ku rezulton se Mark Babani, nën identitetin e dytë Saimir Marq Babaj ka qenë pjesë e një grupi kriminal në Siçili, që merreshin me vjedhje automjetesh.
Sipas Partisë Demokratike, dokumenti është nxjerrë nga autoritetet italiane dhe se emri “Marq Babaj” është arrestuar më 4 prill 1994. Partia Demokratike ka nisur prej ditësh akuzat ndaj Mark Babanit. Vetë kreu i Bashkisë Vau i Dejës, e ka mohuar diçka të tillë, dhe ka paralajmëruar Gazment Bardhin se do e kallëzojë për shpifje.
