Mesa duket denoncimi që bëri në faqen e tij në Facebook ka funksionuar. Hajdutët që i vodhën djathin në stanin e tij në alpet italiane u bënë të gjallë, pasi premtuan se do i paguanin dëmin.
Massimiliano Baldo kishte postuar në Facebook apelin e tij për hajdutët. “Ke kohë deri të hënën për tu bërë i gjallë dhe për të më paguar djathin që më ke vjedhur, ose do të shkoj tek karabinierët me foto dhe video”, thotë ai duke u shprehur se ka foto dhe video nga kamerat e sigurisë që e kishin kapur personin që i kishte marrë produktin, i shoqëruar nga një grua dhe qeni i tyre.
“Tani të mësoj edukatën dhe respektin për punë e të tjerëve, ato djathë i bëra duke punuar nga mëngjesi në darkë… në diell, mjegull, shi e breshër. Më telefono, nëse tani je kaq kurajoz”, ka vijuar postimi i Massimilianos duke postuar dhe numrin e tij të telefonit.
Postimi i bariut u shpërnda 3 mijë herë, mori 7 mijë pëlqime dhe dy mijë komente, por mbi të gjitha bëri që hajduti të bëhej i gjallë.
Ngjarja vjen një javë pasi u vodhën disa briosh në një lokal në Biella. Pronari tha se është i gatshëm të falë hajdutët nëse do e ndihmonin të hapt lokalin të hënën në mëngjes, pasi mbyllej në fundjavë. Edhe në atë rast djemtë të kapur nga kamerat e sigurisë kërkuan ndjesë dhe pronarja kishte tërhequr denoncimin.