Në mbyllje te vizitës së tij në Parlamentin Britanik dhe Dhomën e Lordëve, lideri i opozitës Basha ishte i ftuar i nderit në një darkë pune me anëtarë të parlamentit dhe Dhomës së Lordëve në Londër. Mes pjesëmarrësve në këtë darkë pune ishte Lordi George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe anëtar i Dhomës së Lordëve.
Lideri i opozitës i njohu bashkëbiseduesit me propozimet e PD dhe opozitës së bashkuar për daljen nga kriza përmes një procesi të lirë zgjedhor nën kujdesin e një qeverie tranzitore, e cila do t’i çlirojë duart drejtësisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur në bashkëpunim me krimin për vjedhjen e zgjedhjeve dhe do të përmbushë të gjitha parakushtet e ngarkuara me ligj për të garantuar votën e lirë.
“Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë mund të luftojë krimin e organizuar që e ka shndërruar Shqipërinë, sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, në një bazë operacionale të rrjeteve kriminale, që veprojnë nga Amerika në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Basha i njohu miqtë britanikë edhe me programin e Partisë Demokratike, në veçanti, me masat që do të marrë përmes vetingut të politikanëve dhe goditjes me tolerancë zero të krimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. Kreu i opozitës shpjegoi se këto masa synojnë t’u japin fund trafiqeve dhe pastrimit të parave të pista të krimit, në mënyrë qe të hapet rruga për Shqipërinë e standarteve europiane me barazi para ligjit, liri dhe mundësi për të gjithë qytetarët e saj.
