Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë të diel një takim me studentët e Fakultetit Ekonomik, me të citën ka diskutuar për ekonominë, situatën e vështirë të krijuar nga pandemia e koronavirusit, si dhe fenomenet që, sipas tij, e kanë gërryer ekonominë këto vite, si korrupsioni dhe kontrolli i parave publike dhe sektorëve strategjikë nga oligarkët.
“Oligarkë janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike që nga ligjet, kontrata, leje, licenca dhe gjithçka tjetër. Ata që në bashkëpunim me një grusht qeveritarësh, pastaj vënë në kontroll të gjithë ekonominë, politikën dhe median e vendit. Rruga për t’u marrë me ta është ligji ynë Anti-Mafia. Të gjithë ata që plotësojnë këto kushte do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje strukturave të posaçme anti-korrupsion. Synimi i ligjit Anti-Mafia është që këta njerëz që janë përfshirë në këto llojë kontratash, mos të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura të rekuperohen dhe t’i kthehen qytetarëve”, është shprehur Basha gjatë bisedës me studentët e Ekonomikut, duke shpjeguar ligjin anti-mafia që ka hartuar Partia Demokratike, dhe që do ta vërë në zbatim në qeverisjen e ardhshme dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
I pyetur nga studentët, Basha ngriti shqetësimin për situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19, që ka sjellë një krizë të thellë në ekonomi për shkak edhe të keqmenaxhimit nga qeveria.
“Pikërisht prej dështimit të Edi Ramës për të dhënë një paketë minimalisht sa paketa e Kosovës, ne futemi në një zinxhir negativ, zinxhir rënie të thellë ekonomike e cila siç e keni parë dhe siç e ka raportuar Banka Botërore, FMN dhe institucionet e tjera, është pothuajse dyfish i rënies ekonomike të vendeve të tjera të rajonit. Justifikimin e kemi dëgjuar pse nuk është bërë një paketë e tillë, sepse kaq para kemi, por nga ana tjetër janë marrë borxh pothuajse 1.1 miliardë euro dhe është dhënë një paketë ekonomike 102 milionë euro! Pra, para ka. Ku shkojnë këto para!? Ku shkojnë 1 miliardë euro të tjera që janë marrë borxh!? Shpenzimet publike të qeverisë kanë shkuar në dy drejtime kryesore, në të famshmin program të PPP-ve dhe koncensioneve, , ku është detyruar shteti me një shumë marramendëse prej 2.2 miliardë eurosh që rritet nga viti në vit dhe në të ashtëquajturin program të “Rilindjes Urbane”, pra, investime kryesisht në fasada”, ka thënë kryedemokrati.
