Lulzim Basha komentoi sot deklaratat e Presidentit Meta lidhur me zhvillimet në PD. Duke folur për ABC, Basha u shpreh se Meta ashtu si dhe Rama po tenton që të zgjasë tranzicionin shqiptar.
“Njësoj si Edi Rama, edhe Ilir Meta dhe çdokush tjetër e shikon këtë si një mundësi për t’i zgjatur jetën tranzicionit nga i cili përfitojnë aktorët e tranzicionit. Për ne është e qartë: Beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre. Shqiptarët duan të ardhmen, demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, kanë zgjedhur t’i prijnë betejës për të ardhmen.
Nuk ka për të qenë piknik, kemi përballë forca të errëta, forca kriminale, forca që sot zotërojnë financat dhe ekonominë e vendit, por një gjë është e sigurt: Historia na mëson që pakica mbetet pakicë. Dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve është forca jonë, është frymëzimi ynë, është motivi ynë“, deklaroi Basha.
