Kreu i PD-së Lulzim Basha ka diskutuar situatën aktuale politike në vend me ish kryeministrin kanadez, Stephen Harper, i cili aktualisht është presidenti i “International Democrat Union”.
Duke e konsideruar si një nga zërat më të spikatur të së djathtës në botë, Basha shkruan se ka diskutuar me të për krizën e rëndë politike dhe kushtetuese ku është futur vendi si edhe “për rrugëdaljen prej saj që duhet të kalojë përmes mbrojtjes së standardeve të demokracisë dhe të shtetit ligjor”.
“Si një ndër përkrahësit më të vyer të integrimit Euro-Atlantik të Shqipërisë, i shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e tij të vazhdueshme që Shqipëria të përmbushë standardet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës si garancia e vetme për integrimin tonë në BE.
Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë e mirëpresim bashkëpunimin e mëtejshëm në kuadër të organizatës botërore të IPU që përfshin partitë e djathta dhe të qendrës së djathtë me seli në Munih, ku aderojmë prej vitesh”, shkruan Basha.
