Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur dhe akuzave të kryetarit të opozitës Lulzim Basha se dy spitalet COVID në vend janë plot duke thënë se 1/4 e tyre janë bosh dhe se janë gati dy spitalet e tjerë.
“Dëgjon Coli me Lolin që thonë se nuk ka vend në spitale, njerëzit po lihen rrugëve. Çfarë janë këto? Këto janë skandale morale të pagëlltitshme sepse faktikisht sot ne jemi absolutisht të përgatitur për më të keqen por duam që ta mbajmë më të keqen larg. Sot nuk kemi problem kapacitetesh në spitale, sot në dy spitale kemi 1/.4 e kapaciteteve të dy spitaleve bosh akoma. Janë dy spitale të tjera gati, bashkë me gjithë ekipin gati për tu hapur në rast se do jetë nevoja, dhe kur të jetë nevoja menjëherë do të hapen. Edhe në rast se ato dy të tjerat do të kenë kapacitete të ezauruara ka të tjera në radhë që janë gati. Kjo nuk do të thotë që ne të luajmë. Vetëm sot, tani që flasim instalohen në sistem 60 respiratorë plus. Nuk kemi pasur ne problem asnjë sekondë për nevojën për oksigjen”, tha Rama
