Luhatja e madhe e shifrave të anëtarësisë së Partisë Demokratike në 2021 në krahasim me 2013-ën dhe 2017-ën tregojnë se kjo forcë politike nuk ka një regjistër të plotë, funksional dhe të saktë.
Kështu i interpreton Instituti i Studimeve Politike shifrat e publikuara nga PD në procesin e fundit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri. ISP analizon numrat dhe thotë se aty tregohen katër elementë.
Së pari, PD nuk ka një regjistër të plotë, të saktë dhe funksional anëtarësia. Kurba e lëvizjes nga 104 mijë më 2013, 103 mijë më 2017 dhe 75 mijë më 2021, është vetëm një prej treguesve të kësaj problematike.
Së dyti, Basha mori mandatin e tretë drejtues në parti 2021-2025 me 32 mijë vota, shifër më e ulët nga rezultati i tij fitues nga 33 mijë më 2013 dhe 53 mijë më 2017.
Së treti, PD nuk ka rregulla dhe standarde të unifikuara, të qëndrueshme dhe të besueshme të organizimit të brendshëm zgjedhor. Si më 2013, edhe më 2017 dhe më 2021, struktura përgjegjëse (KQZ) u përfshi në garën elektorale dhe pamundësoi transparencën dhe cilësinë që duhej të kishte institucioni i zgjedhjeve në këtë parti.
Së fundi, zgjedhjet në PD, vëren ISP, provuan edhe njëherë tezën se partitë shqiptare vijojnë të jenë bunkerët e fundit reflektuese të kulturës politike komuniste në Shqipëri.
“Ato refuzojnë ndryshimin e brendshëm (asnjë parti nuk ka arritur të ndryshojë kryetarin e partisë me votë), refuzojnë zgjedhjet (shumica e partive të vogla politike nuk bëjnë asnjëherë procese zgjedhore, edhe partia kryesore politike, Partia Socialiste, nuk ka bërë zgjedhje as formale për kryetar prej shtatorit të vitit 2009, pra prej 12 vitesh), kanë struktura/gjykata zgjedhore fiktive në parti, si dhe refuzojnë konkurrencën cilësore dhe proceset e rregullta konkurruese përfshirë edhe shanset e kandidatëve rivalë për të marrë pjesë në administrimin dhe monitorimin aktiv të fushatës dhe të procesit”, thotë ISP.