Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga Rrësheni i ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit.
“Tani është në dorën tuaj, dhe me 16 shkurt, zëri i vetëm dhe verdikti i vetëm që do të dëgjohet nuk janë fjalimet e politikanëve, vendimi i vetëm që do të merret dhe do të zbatohet do të jetë vendimi i popullit të bashkuar. Ndaj ju ftoj ti japim legjitimitetin e plotë këtij verdikti popullor, të jeni të bashkuar, edhe më shumë, të gjithë bashkë për të marrë fatin tuaj në duart tuaja, për një qeveri që u shërben juve”- tha Basha.
“Qeveria duhet të mësojë si të hapë vende pune, të garantojë sigurinë, punësimin, arsimin, kontrata me njerëzit për t’i shërbyer njerëzve jo për të vjedhur fondet publike, me skema korruptive, j për të zhdukur fondet e shëndetësisë me koncesione. Objektivi numër 1 është hapja e vendeve të punës me paga e kushte dinjitoze për shqiptarët dhe të rinjtë”- tha Basha, duke theksuar se janë shqiptarët ata që duhet të marrin në dorë fatet e tyre.
Ai tha se opozita dëshiron “të kemi një qeveri që u shtrin dorën dhe u ndihmon, një bashki që nuk ju braktis dhe për këto ka dy mënyra, zgjedhje të lira e sistemin e drejtësisë. Zëri i Amerikës ka publikuar fakte tronditëse që tregojnë se në krye të vendit është një kryeministër dhe bandë e përcaktuar nga paratë e drogës dhe krimit. Kush e lidh fatin me kriminelët i vjedh qytetarët, i mashtron, i gënjen, i braktis. Mos e pranoni as një minutë poshtërimin”.