Pranimi i krimit të vrasjes së 20-vjeçares Caroline nga bashkëshorti i saj, e ka shokuar Greqinë. Një ngjarje që po komentohet shumë edhe për faktin se paraprakisht për këtë ngjarje ishin hedhur hije dyshime se ishte organizuar nga grabitës me origjinë shqiptare.
Gjatë një programi në televizionin Ant1, gazetarit i mbërrin një pyetje në rrjetet sociale.
“Si ndiheni dhe ju gazetarët që deklaronit se ata që hynë në shtëpinë e çiftit ishin shqiptarë?”
Drejtuesi i programit ndërkohë ka kthyer këtë përgjigje:
“Nuk e thamë ne këtë gjë. Kjo ishte dëshmia e pilotit në polici, që kishte thënë se tre personat që i hynë në shtëpi flisnin shqip. Këto nuk i nxorrëm ne nga barku jonë, por i ka thënë bashkëshorti i 20-vjeçares”.
Disa ditë pas ngjarjes mediat greke nisën të raportonin se të dyshuarit për vrasjen mund të ishin shqiptarë e më pas gjeorgjianë.
Pikënisja e këtyre raportimeve bazohej në deklarimet e pilotit që po mundohej të ndërtonte alibinë se krimin e rëndë e kishin kryer persona nga jashtë dhe jo ai vetë sikundër u provua më vonë.
