Dom Gjergj Meta ka reaguar lidhur me arrestimin e një vajze nga Durrësi, e cila akuzohet se ka përhapur panik në rrjetet sociale pas tërmetit me magnitudë 6.4 të së martës, që shkaktoi 51 viktima. Sipas tij, arrestimi i të resë është veprim i nxituar dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm.
“Arrestimi i vajzës nga Durrësi, Xhulia Aliaj, më duket një veprim i nxituar nga ana e policisë dhe i shproporcionuar në krahasim me një status në fb. Një arrestim i tillë do të ishte absurd në çdo vend demokratik. Jam i bindur se vajza duhet të lirohet menjëherë.”– tha Dom Gjergj Meta.
Mirëpo bashkëshortja e ministrit Bledi Çuçi, Delina Fico, e cila është njëkohësisht një përfaqësuese e spikatur e shoqërisë civile, nuk është në një mendje me të. Ajo thotë se edhe në New York, pas sulmeve të 11 shtatorit u zbatua ligji që dënon përhapjen e panikut. “Në 12 shtator, një ditë pas 11 shtatorit 2001, shteti i Nju Jorkut shpalli se do të dënonte me burg ata që përhapnin alarme të rrema. E di, sepse jetoja e punoja në Manhattan në atë kohë. Përhapja e panikut mund të sjellë pasoja vdekje-prurëse.”– thotë ajo.

