Bashkia e Matit ka hedhur në gjyq INSTAT-in për rezultatet e censusit. Agron Malaj, kryetari i bashkisë së Matit tregon në emisionin “Vendi Im”, se numri i qytetarëve që realisht banojnë në Mat është shumë më i lartë se sa numri që tregon censusi i realizuar në vitin 2023.
Lexo edhe :
Related Posts
“Ne kemi hapur si bashki një aktpadi për censusin, sepse bashkia e Matit ka qenë diku tek 29 mijë dhe sot sipas censusit jemi 17 mijë që është një diferencë shumë e madhe. Në të vërtetë ne kemi bërë një përllogaritje duke marrë nga numri i abonentëve të OSHE-së, nga numri i abonentëve të ujësjellësi, nga çerdhet e nga kopshtet; por kemi bërë dhe një sondazh me banorët ku vihet re se të paktën 3/4 ankohen se nuk ka shkuar askush që të bëjë censusin,” shpjegon kryebashkiaku Malaj.
Sipas Malajt, bashkia e Matit kërkon rishikimin e gjetjeve të censusit.
“Ndaj ne kemi hapur një aktpadi dhe kërkojmë një rishikim të censusit për Matin. Po të bëjmë një kalkulim të të gjithë këtyre komponentëve, nga matjet tona na dalin mbi 25 mijë banorë.”
Censi i Popullsise dhe Banesave i realizuar në vitin 2023 është censi i tretë i kryer në Shqipëri, nga viti 1990, dhe i dymbëdhjeti në historinë e censeve në vend, prej vitit 1913.
Sipas këtij censi popullsia në Shqipëri më 18 shtator 2023 rezultoi 2.402.113, me rënie prej 420 mijë persona, krahasuar me Censin e 2011.