Furnizimi me ujë të pishëm ende mbetet sfida kryesore për shumicën e bashkive edhe për shkak se është një prej ndërhyrjeve më të kushtueshme.Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj, në emisionin “Vendi Im’, tregon se në 2019 kur ai mori detyrën qyteti i Burrelit furnizohej gjatë verës me vetëm një orë ujë në ditë. Sot ai ka arritur që qyteti i Burrelit të ketë furnizim 24 orë me ujë të pishem dhe po ashtu edhe 90% e territorit të bashkisë së Matit.”Bashkia e Matit me 490 km në treçerekun e territorit nuk furnizohej me ujë të pishëm. Po të marrim qytetin e Burrelit ishte me një orë ujë në ditë gjatë verës dhe vetëm pas tetorit mund të kishte 10-12 orë ujë në ditë. Kemi bërë një investim kolosal për 25 mijë banorë, kemi furnizuar më ujë 17 fshatra, qytetin e Burrelit dhe të gjitha njësitë administrative.Sot kemi ujë 24 orë për 90% të territorit të bashkisë së Matit dhe deri në vitin 2027 do e çojmë 100% dhe s’do kemi më probleme me ujin e pishëm,” thekson kryebashkiaku Malaj.Nga ana tjetër bashkia po ndërhyn edhe në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza veçanërisht në zonat turistike.“Ne sot kemi një sistem modern dhe një impiant për pastrimin e ujërave. Qyteti i Burrelit rrethohet me 3 lumenj dhe në të tre këto lumenj që furnizojnë liqenin e Ulzës dikur hidheshin të gjitha ujërat e zeza. Sot po bëjmë të mundur që të gjithë ujërat e zeza të futen në impiante pastruese në mënyrë që në liqenin e Ulzës ne të kemi një ujë të pastër. Si buron në Martanesh të vijë në liqenin e Ulzës sepse ne duam që liqenin e Ulzës, Shkopetit ta bëjmë të lundrueshëm, të përshtatshëm edhe për plazh, siç ka qenë dikur,” shpjegon ambicjen e tij për të ardhmen e kësaj zone, kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj.