Policia e Shtetit ka proceduar sot penalisht dy shtetas të cilët kanë vijuar aktivitetin e lojërave të fatit dhe llotove. Sipas njoftimit të Policisë në pranga janë vendosur dy shtetas, pronarë lokalesh një në Tiranë dhe një në Klos të Burrelit. Dy shtetasit janë arrestuar pasi dyshoheshin se kanë përdorur pajisje që mundësonin ushtrimin e aktivitetit të lojrave të fatit.
“Policia e Shtetit vijon operacionet në të gjithë vendin në zbatim të planit të masave që po merren për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 2 raste dhe konkretisht në Tiranë dhe në Klos të Burrelit.
2 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një njësi kompjuterike , dy televizorë dhe pajisje elektronike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.
Në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi Z. G., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën e Dibrës, në ambientet e lokalit të tij u konstatuan paisje të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Në Klos të Burrelit u procedua penalisht shtetasi E.H., 35 vjeç, pasi në subjektin e tij u konstatuan të montuara pajisje për ushtrimin e lojërave të fatit.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.
Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit ‘Komisariati Dixhital’, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.