Në 4 mars 2024, do të përurohet baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se kjo bazë do të ofrojë një infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.
“Edhe pak ditë nga përurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s. Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës. Ky hap shënon një fazë të re në forcimin e kapaciteteve tona për bashkëpunim ndërkombëtar dhe siguri rajonale”, shkruan Peleshi.
Baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë u përmend edhe nga sekretari i Shtetit Antony Blinken, kur ky i fundit ishte për një vizitë zyrtare në Tiranë në 15 shkurt. Në fjalën e tij, Blinken tha se Shqipëria ka dhënë kontribut domethënës në Aleancë, përgjatë 15 viteve të anëtarësimit. “Përgjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore të NATO-s në Kuçovë”, tha Blinken.
Pak kohë më parë, ish-komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral Ylli Pulaj në një intervistë të dhënë për ”Vizion Plus”, ka treguar për përfitimet që do vijnë nga baza ushtarake. Sipas tij, ekonomia lokale e zonës do të zhvillohet më shumë. “Do të sjellë për Kuçovën një energji shumë pozitive, por edhe përmirësimin e raporteve civile dhe ushtarake; do të ketë në fokus edhe përmirësimin e raporteve sociale dhe ekonomike për të gjithë komunitetin që jeton e punon në zonën e Kuçovës dhe Beratit”, tha gjeneral Ylli Pulaj.
Ai më tej ka treguar se cfarë rëndësie ka kjo bazë për NATO-n dhe përsë u zgjodh Shqipëria. “Dëshmon edhe njëherë rëndësinë strategjike që ka vendi ynë në rajon, dëshmon qartë aftësitë e konsoliduara të vendit tonë për të marrë përgjegjësinë që i takon në Ballkanin Perëndimir, si dhe prezencën fizike të aleancës në vendin tonë. Sipas komandantit të forcave ajrore të NATO-s, Tod Ëolters, arsyeja kryesore e përzgjedhjes së kësaj baze ka të bëjë me afërsinë e kësaj baze me rajonin juglindor të aleancës. Në këtë kontekst, poziconi strategjik në Ballkan merr një rëndësi më të madhe. Vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një pikë mbështetjeje në rajonin e Ballkanit”.
