Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta çdo vit, ku temperatura arrin 50 C, është dyfishuar që nga vitet 1980.
Sipas BBC, ditët e nxehta tashmë regjistrohen në më shumë zona të botës se më parë, duke paraqitur sfida të pashembullta për shëndetin e njeriut dhe mënyrën se si jetojmë.
Numri i përgjithshëm i ditëve me temperatura mbi 50C, është rritur në çdo dekadë që nga viti 1980.
Mesatarisht midis viteve 1980-2009 ditët me temperaturat mbi 50 gradë ishin rreth 14 ditë në vit. Por ky numër pothuajse u dyfishua midis viteve 2010-2019, duke arritur në 26 ditë në vit.
Në të njëjtën kohë, temperaturat mbi 45 gradë tani po regjistrohen mesatarisht dy javë më shumë në një vit, sesa në të kaluarën,.
“Rritja mund t’i atribuohet 100% djegies së karburanteve fosile,” thotë Dr Friederike Otto.
Nxehtësia e lartë mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit dhe natyrën, dhe të shkaktojë probleme të mëdha për ndërtesat, rrugët dhe sistemet e energjisë.
Temperaturat prej 50 gradë Celsius regjistrohen kryesisht në Lindjen e Mesme dhe rajonet e Gjirit.
Dhe pas temperaturave rekord prej 48.8C në Itali dhe 49.6C në Kanada këtë verë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ditët me mbi 50C do të regjistrohen sërish, nëse nuk i ulim emetimet e karburanteve fosile.
“Duhet të veprojmë shpejt. Sa më shpejt të zvogëlojmë emetimet tona (të karbonit), aq më mirë do të jemi, përndryshe jo vetëm që incidentet e nxehtësisë ekstreme do të bëhen më të rënda dhe të shpeshta, por edhe reagimi dhe shërimi i urgjencës do të jetë i vështirë,” tha studiuesi i klimës Dr. Sihan Lee nga Shkolla e Gjeografisë dhe Mjedisit të Oksfordit.
Por këto rritje nuk janë ndjerë njësoj në të gjithë botën: Evropa Lindore, Afrika jugore dhe Brazili panë disa temperatura maksimale të rriten me më shumë se 1C, dhe pjesë të Arktikut dhe Lindjes së Mesme regjistruan rritje prej më shumë se 2C./BBC