Për herë të parë në histori BE përdor instrumentin e shtetit ligjor në një proces që ka hapur kundër Hungarisë. Hungaria mund të dënohet me sanksione të mëdha financiare. Pse? Dhe si funksionon tamam ky mekanizëm?
Për vite me radhë në Bashkimin Europian është diskutuar një temë e rëndësishme: Si duhet t’i trajtojë BE-ja qeveritë e vendeve anëtare që shkelin në mënyrë sistematike vlerat demokratike bazë dhe shpërbëjnë shtetin e së drejtës në vendin e tyre? Debati për këtë çështje ka zgjatur një dekadë të tërë para se sa Brukseli të binte më në fund dakord për vënien në funksionim të të ashtuquajturit mekanizëm i shtetit të së drejtës, që hyri në fuqi në fillim të vitit 2021.
Pas ankimeve të Hungarisë dhe Polonisë kundër këtij mekanizmi, u desh edhe një vit tjetër deri sa Gjykata Europiane ta shpalli mekanizmin në muajin shkurt të këtij viti, si mekanizëm në përputhje me ligjet e BE dhe si të tillë të zbatueshëm. Tani ai vihet faktikisht në përdorim për herë të parë kundër Hungarisë, atij vendi anëtar të BE, i cili që prej 2010 shkaktoi në BE hapjen e debatit për shkak të aktiviteteve jodemokratike të qeverisë së kryesuar nga kryeministri, Viktor Orban.