Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar projekte dhe grante në vlerë të përgjithshme prej 206 milionë eurosh për Kosovën, në kuadër të programeve të ndihmës së BE-së.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se Komiteti i IPA-s ka miratuar zyrtarisht projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, me një vlerë prej 180.5 milionë eurosh.
Sipas tij, janë miratuar gjithashtu edhe tri grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me një vlerë totale prej 25.9 milionë eurosh.
Megjithatë, fondet nuk mund të disbursohen menjëherë. Fillimisht nevojitet miratimi nga Komisioni Evropian, ndërsa më pas marrëveshja financiare duhet të nënshkruhet dhe të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.
Aktualisht, Kosova nuk ka një Kuvend funksional, por ai pritet të konstituohet në ditët në vijim, pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Duke shpjeguar destinacionin e fondeve, Kurti tha se 180.5 milionë eurot do të mbështesin sektorë prioritarë për vendin, si mjedisi dhe klima, energjia, menaxhimi i kufijve dhe migrimi, konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi, qeverisja e mirë, përafrimi me Bashkimin Evropian dhe sundimi i ligjit.
“Rreth gjysma e fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore. Shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet tona”, deklaroi Kurti.
Sa i përket granteve prej 25.9 milionë eurosh nga WBIF, ai bëri të ditur se investimet do të përqendrohen në hidrosistemin Ibër-Lepenc, segmentin autostrador Qafë e Duhlës–Banullë dhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Kosova ka nisur të përfitojë nga fondet e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) që prej vitit 2007, ndërsa programet e reja synojnë të mbështesin zhvillimin ekonomik, institucional dhe afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian.
