Listimi i vendit tonë në këto faqe dhe ofrimi i kësaj metode nga klinikat private tregon se surrogacia në Shqipëri aktualisht zhvillohet për qëllime tregtare dhe jo për qëllime altruiste siç e parashikon ligji.
Kjo situatë sipas ekspertëve krijon hapësira që Shqipëria të kthehet një vend ku surrogacia mund të përdoret për tregti. Pra, interesa të mëdha fshihen pas këtij biznesi.
“Absolutisht jo, kjo nuk do të ndodhë. Ligji aktual as e ndalon dhe as e rregullon, pikërisht për këtë arsye për ta rregulluar, në këtë moment ishte e domosdoshme që kjo të përmendej në ligj. Është një gjë shumë e rëndësishme, aq më tepër kur shkenca ka arritur që të realizojë dhe mënyra se si është rregulluar në ligj i përjashton plotësisht polemikat”, u shpreh Mira Rakacolli, mjeke.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në të gjitha rastet bëhet fjalë vetëm për surrogaci altruiste. Pra vetëm në raste kur gruaja porositëse e ka materialin gjenetik për të lindur një fëmijë, por nuk mund ta mbartë vetë një shtatëzani për shkaqe shëndetësore.
“Surrogacia në ligj lejohet vetëm për ata që nuk kanë mundësi për të rritur një embrion pavarësisht se kanë mundësinë për të siguruar një embrion me materialin gjenetik të të dy prindërve”, u shpreh mjekja, Mira Rakacolli.
“Ky projektligj besoj duhet të shkojë me formulime të qarta. Nën nenin 22 të surrogacisë nuk përmendet që është altruiste që do të thotë se u lë hap♪sirë privatëve për ta përdorur surrogacinë si një mjet të madh fitimi”, u shpreh Zheni Gjergji, Kryetare ‘Komisioni i Shëndetësisë’.
Sipas ligjit, një grua duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur më parë një fëmijë, që të bëhet nënë surrogate. Marrëdhënia me nënën surrogative do të rregullohet nëpërmjet një kontrate. Ekspertët ngrenë dyshime se grupet vulnerabël dhe gratë në vështirësi ekonomike mund ta shohin si një mjet përfitimi dhe të shesin trupin e tyre për të mbajtur fëmijët e porositësit.
“Duke pasur parasysh kushtet e rënda ekonomike që ndodhen gratë, ka shtresa të mëdha vulnerabël dhe mënyrën se si është hartuar ky draft kam shumë frikë se do të shfrytëzojë trupin e një gruaje për qëllime përfitimi”, u shpreh Zheni Gjergji, Kryetare ‘Komisioni i Shëndetësisë’.
‘Nëse nuk rregullohet nga kuadri ligjor mund të abuzohet. Krijon hapësira për trafikim për qenie njerëzore, krijon hapësira për shfrytëzim të gruas dhe rrit punën e papaguar të gruas pasi mbartja e një fetusi është një punë. Nuk do të jetë formë tradicionale, gestacionale do të jetë me kundërshpërblim”, u shpreh Dea Nini, eksperte ligjore.