Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nisi sot vizitën në Tiranë me ftesë të homologut Bajram Begaj. Osmani ka mbërritur në Tiranë që mbrëmjen e kaluar, ndërsa sot në orën 10:00 u prit me ceremoni nga Begaj. Begaj në një konferencë për shtyp me Vjosa Osmanin tha se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Begaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë se janë shumë të mira.
“Sot 1 vit pas vizitës sime të parë në Kosovë, kisha nderin t’i uroja mirëseardhjen Osmanit. Mirëserdhët në shtëpinë tuaj. Gjatë bisedave tona, përtej frymë vëllazërore, vëmendje patën çështjet më të rënd të interesave ndërshtetërore por edhe koordinimit më të mirë të çështjes sonë kombëtare. Lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror vëmendja u fokusua në thellimin e marrëdhënieve. Nënvizova se marrëdhëniet janë shumë të mira dhe duhet të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha nivelet. Askush ska pse çuditet që Kosova është prioriteti kombëtar i Shqipërisë”, tha Begaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar që Shqipëria të jetë zëri i Kosovës në instancat ku ajo nuk ka përfaqësim. Ajo tha se ka ardhur në Tiranë për një strategji të përbashkët për të unifikuar politikën e jashtme mes dy vendeve. Ajo vlerësoi marrëdhënien mes dy vendeve.
“Diskutuam për sfidat që na presin, që duhet t’i tejkalojmë sëbashku, Shqipëria dhe Kosova kanë lidhje unike që i bën lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave në qëndrojmë të bashkuar, kombi shqiptar ka qenë dhe do jetë faktor stabiliteti në rajon me orientim të qartë euroatlantik. Kemi nevojë për mbështetjen e Shqipërisë që të jetë zëri ynë në instancat kombëtare ku Kosova nuk ka përfaqësim, synimi ynë mbetet anëtarësimi në NATO. Bashkëpunim për një strategji të unifikuar të politikës së jashtme”, tha Osmani.
