Ashtu siç e bënë zakon në këto zgjedhje, çdo ekip fitues i Partisë Socialiste mbajti nga një fjalim në selinë qendrore të socialistëve në Tiranë. E hëna ishte dita e Benet Becit që fitoi një mandat si kryebashkiak në Shkodër. Në fjalën e tij, Beci tha se Shkodra vendosi që të jetë pro zhvillimit dhe ndryshimit.
“Akoma nuk më kanë dalë emocionet e këtyre dy ditëve të jashtëzakonshme, të mrekullueshme, të dy ditëve ku Shkodra foli, ku qytetarët e Shkodrës folën, ku Shkodra vendosi të jetë pro zhvillimit, pro ndryshimit. Është një satisfaksion i madh pas një muaj fushate ku folëm për projektet, diskutuam me të gjithë se si të bëhet një Shkodër më e mirë. Besimi i madh është një detyrim i jashtëzakonshëm që unë jam shumë mirënjohës Shkodrës për besimin. Besimi është nga gjërat më të shtrenjta që jepet”, tha Beci.
Ai premtoi se do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Shkodrës. Mirënjohje shprehu edhe ndaj demokratëve për të cilët tha se e ka obligim që besimin t’ua kthejë në punë edhe atyre.
“Jam mirënjohës çdo demokrati që na kanë parë pak me dyshim dhe më në fund shumë prej tyre kanë arritur të na japin besimin. Për ne është obligim t’ua kthejmë në punë dhe atyre. Sot jemi përpara një sfide të jashtëzakonshme për ta bërë atë që kemi premtuar dhe me një mirënjohje të veçantë për kryeministrin Rama që mbështetja dhe planet, dhe projektet që kemi shpalosur për Shkodrën do të bëhen realitet. Ky është obligimi ynë”, u shpreh Beci.
