Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë të re, ku kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë tjetër, duke afruar edhe garanci pasurore 20 mijë euro.
Këtë herë kërkesës i është bashkëngjitur edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, që mbajti qëndrim sa i takon masave “arrest me burg”. Vendimi i marrë në unanimitet nga gjyqtarët e Kolegjeve të Bashkuara parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ka kërkuar lirinë edhe kryebashkiku Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 1 viti, ndërsa vendimi pasoi nxjerrjen e Mirlinda Karçanaj, ish-drejtueses së AKSHI-it, nga arresti shtëpiak.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.
Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.
