Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim këtë të mërkurë me banorët e Shijakut. Në fokus ishte situata ekonomike në vend.
Ish-Kryeministri Berisha tha se në Shqipëri rrogat janë më të ulëta se në Kosovë. Ai theksoi se braktisja e Shqipërisë sot është më e dhimbshme se në vitin 1991.
“Zgjedhja që në tërësi ka bërë Shijaku në këto dekada, ka qenë në përputhje me shpirtin e lirë të qytetarëve, banorëve të vet, atdhetarisë së tyre dhe përpjekjes për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike dhe të integruar në BE.
Sot Shijaku dhe mbarë Shqipëria, përjetojnë një periudhë krize të vërtetë, të thellë, e cila shprehet me një braktisje të pashembullt të vendit, Shijakut dhe Shqipërisë nga qytetarët e vendit. Kjo braktisje në të vërtetë është shumë më e dhimbshme, e hidhur, se sa ajo që ndodhi në vitin 1991. Është shumë më e dhimbshme dhe e hidhur, sepse në vitin 1991, ne jemi dëshmitarë, ne vërtetë fituam lirinë, por ishim nën tiraninë e tmerrshme të mjerimit.
Qytetarët shqiptarë në vitin 1991, ishin qytetarët e tretë më të varfër të planetit. Vinin pas qytetarëve të Ugandës dhe Angolës. Kështu që ai largim masiv nga Shqipëria i vitit 1991, lidhet me dhimbjet e mëdha që krijonte tirania e mjerimit, pavarësisht se liria u fitua, nga diktatura dolëm, por ajo që vazhdoi ishte mjerimi i thellë në të cilën na kishte zhytur diktatura.
Sot jo, sot është një regjim. Për 30 vite Shijaku ndryshoi shumë, Shqipëria ndryshoi shumë. Nga viti 2007-2014, banorët e Shijakut, Shqipërisë, u rritën nga viti në vit dhe kjo është statistikë e vërtetë. Nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga Shijaku, Durrësi, Tirana dhe mbarë Shqipëria u larguan 26% e popullatës, më shumë se 744 mijë qytetarë, veç në BE, pa llogaritur këtu ata që ikën në Kanada, SHBA apo vende jashtë hapësirës evropiane”, tha Berisha.