Sali Berisha prezantoi sot kandidatë për Librazhdin dhe Përrenjasin, ku theksoi se brenda 100 ditëve nuk do të ketë pension nën 200 euro. ”Unë jam këtu për t’u zotuar para jush se me programin tonë ne do u kthejmë paratë qytetarëve shqiptarë dhe se çdo pensionist, në këtë rreth, në këtë qark, në Shqipëri, brenda 100 ditëve të para nuk do ketë kurrë një pension nën 200 euro”,-tha Berisha.
Berisha shtoi se minimumi jetik do u jepet të gjithë shqiptarëve në ndihmë ekonomike, të gjithë të papunëve, të gjithë studentëve me brusë dhe prindërve me një fëmijë. ”100 ditët e para ne nxjerrim shqiptarët nga varfëria e skajshme. Çdo shqiptari me rrogë të ulët 500 euro, çdo pensionisti ne i japim kartën e konsumatorit me të cilën ai do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 për qind më lirë se të tjerët, çka do të thotë se do marrë në vit 450 euro kompensim”, tha Berisha.
Berisha deklaroi më tej se në 100 ditët e para, çmimi i naftës do ulet me 40%. ”Biznesi i vogël do të paguajë energjinë me 6 lekë nga 18 që e paguan sot. Do të përgjysmohet tarifat e ujit. Do pjesëtohet me 5, tarifa e hapësirës publike.
Do rriten tavanet në 180 mijë euro për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla. Për bizneset e tjera vendoset taksa e sheshtë 10 për qind nga 23 për qind. TVSH-ja ulet në 15 për qind nga 20 për qind. Shqipëria do jetë vendi me klimën më të mirë të biznesit. Edhe ato energjinë do e paguajnë 6 lekë nga 18 që paguajnë sot”.
