Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PD-së, kryetari Sali Berisha ka mbledhur këtë të mërkurë grupin parlamentar të Rithemelimit. Në fokus të Berishës mbetet dosja amerikane e ish-zyrtarit të SHBA, Charles McGonigal ndërsa nuk kursen akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se sillet si të jetë i biri i Enver Hoxhës apo i Kim Jong Un.
“Mblidhemi në një kohë kritike në shumë aspekte është regjimi më i diskredituar pas Koresë së Veriut dhe Lukashenkos. Edi Rama siç dëshmojnë dokumentet e pakundërshtueshme është sjellë ndaj SHBA sikur të ishin një vend armik dhe jo kontributori kryesor në historinë e lirisë së kombit shqiptar dhe jo udhëheqësi.
Akti i Edi Ramës është një thikë e tmerrshme pas shpine që ky njeri i cili nuk ka nder, nuk ka komb, nuk ka atdhe, flamur, dinjitet ka përbaltur pas Enver Hoxhës më shumë se kushdo tjetër emrin e shqiptarit dhe të Shqipërisë para kombit amerikan. Edi Rama është sjellë sic sillen armiqtë ndaj njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë ai ka lënduar cdo shqiptar, i cili ka mirënjohjen si virtyt të palëkundur, moral të tij. Rama është sjellë si i biri i Enverit apo Kim Jong Un”, tha Berisha.
