E shtuna e gjeti Berishën mes zgjedhjeve në parti dhe diasporës. Në një bashkëbisedim virtual i kërkoi të regjistrohet për zgjedhjet në 11 Maj.
“Këto 72 orë që kanë mbetur ta bëjmë natën ditë, të bëjmë çdo përpjekje për të regjistruar çdo shqiptar, shqiptare që njohim jashtë Shqipërisë. Të bëjmë çdo gjë që më 11 Maj çdo shqiptar jashtë vendit të votojë”, u shpreh Berisha. Por kjo nuk ishte e vetmja thirrje që Berisha pati për emigrantët.
“Të punoni me çdo shqiptar që njihni dhe që është regjistruar, në mënyrë që ai të votojë për PD-në. Unë çdo ditë pres socialistë që vijnë nga zona të ndryshme. Edhe biznesmenë ka prej tyre dhe më thonë se kemi ardhur për të garantuar se do votojmë kundër kësaj qeverie”, deklaroi ai.
Shqiptarët që kanë mundësi financiare për të përballuar shpenzimet e rrugës, i ftoi të vijnë për të votuar në atdhe. “Kjo do ishte jashtëzakonisht e dobishme. Aq më tepër kur e thatë vetë që ka prej atyre që kanë problematikat e tyre për t’u regjistruar me dokumentet. Në rast se e kanë emrin në lista, të vijnë në Shqipëri të votojnë”, u shpreh Berisha.
