Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është në krah të Sali Berishës, edhe pse i fundit është nën masën e sigurisë ”arrest shtëpie”. ”Jemi përshëndetur dhe para disa ditësh dhe i kam shprehur solidaritetin tim më të plotë. Kemi të bëjmë me një përndjekje politike dhe përpjekje për të minuar opozitarizmin në vendin tonë. Të gjitha këto diktohen nga Edi Rama përmes kapjes së sistemit të drejtësisë dhe përmes presioneve që ai ushtron në këtë drejtim”,-tha Meta këtë të premte në konferencën me gazetarët.
Sa i takon dekretimit nga presidenti Bajram Begaj të ndryshimeve në Komisionet Hetimore, Meta tha se arsyeja kryesore e kësaj krize politike në vend është sipas tij frika që qeveria ka nga llogaridhënia.
“Nuk kam asnjë arsye të flas si ish-president, por është një fakt që një nga arsyet kryesore të kësaj krize madhore ku ka hyrë politika shqiptare është pikërisht tmerri i Edi Ramës dhe i mazhorancës nga llogaridhënia të cilën e garanton kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”,-u shpreh Meta.
Mes të tjerash, Meta iu përgjig edhe thumbimit të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se ka përfunduar koha kur presidenti përdorte Kushtetutën për revolucione imagjinare. ”Po i rikthehem edhe një herë kryelindasit që udhëhiqte revolucion imagjinare. Kemi të bëjmë me një diktaturë reale, jo imagjinare. Dhe të gjithë i mbajnë mend betejat e vërteta të zhvilluar jo vetëm këtu, por edhe në komisionin e Venecias midis Metës dhe parlamentit monist. Ku të gjitha betejat Rilindja i humbi përfshirë edhe ato për lirinë e medias”.