Nga Kongresi i Partive Popullore Europiane, Sali Berisha tha se bota pret fitoren e PD në zgjedhjet e 11 majit. Kjo duke theksuar se nën drejtimin e saj do të mundësohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në forumet me 14 kryeministra europianë, Berisha tha se Shqipëria ndodhet sot në duart e një narkoshteti. Për të e ka shndërruar zgjedhjet në fasadë dhe ushtron terror ndaj opozitës.
”Këtu në sy të Europës, kam denoncuar të vërtetën e trishtë për regjimin e Ramës. Po i tregojmë Europës se shqiptarët janë gati për një të ardhme ndryshe, për shtet ligjor dhe integrim”.
Ai bëri të ditur se PPE pritet të miratojë një rezolutë të katërt brenda 5 muajsh që dënon qeverisjen e Ramës. ”Me këtë rezolutë dënohen haptazi dhuna ndaj opozitës, deformimi i zgjedhjeve, shkeljet e ligjit dhe korrupsioni. Ky është një kushtrim për shqiptarët që të ndahen nga regjimi dhe të hapin një kapitull të ri”.
Për të Rama është tashmë një “i dënuar ndërkombëtarisht”. Berisha paralajmëroi se fitorja e PD më 11 maj do të jetë “fitorja e 75-të e forcave të qendrës së djathtë në Europë për këtë vit”. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për ironitë e kryeministrit Rama ndaj pjesëmarrjes së tij në Kongresin e PPE, Berisha u shpreh se “ironia vjen nga frika” dhe se mbështetja e ndërkombëtarëve për opozitën është më e fortë se kurrë.