Kreu i PD-së, Sali Berisha këtë të premte në konferencën me gazetarët, tha se Edi Rama po sjell nga Bangladeshi në Vlorë për prodhimin e energjisë elektrike gjeneratorë, por që kanë kosto stratosferike dhe që janë tejet ndotës ndaj mjedisit.
“Për prodhimin e një megavat impiantet harxhojnë 220 litra naftë. Impiantet prodhojnë 110 megavat në 24 orë, nëse e shumëzojmë me 220 litra ato shpenzojnë 580.800 litra naftë në ditë. Aq litra naftë nëse i shumëzojmë jo me 230, sa është sot e më shumë nafta, por vetëm me 190 lekë impiantet harxhojnë në ditë 949.672 euro. Prodhimi ditor i energjisë është 2640 megavat. Por, përveç kostos së naftës, qiraja ditore është 91117 euro, pra në total 1.049.799 euro. Në rast se llogarisni çmimin e megavatit kjo shifër shpenzohet për prodhimin e 2640 megavat, pra një kushton 398 euro. Një megavat për rreth 400 euro, me çmimin e sotëm shkon edhe më shumë.
Rama po bën zbrazjen e rrufeshme të kaskadës së Drinit. Çdo ditë, kaskada ulet me 50 cm në ditë. Nga Suezi gjer në Vlorë, kaskada sot është 274 metër, ndërkohë që me rregulloren e përdorimit të saj, ajo më 1 shtator nuk mund të jetë nën 284 metër.
Përveç çmimeve stratosferike, po kaq të tmerrshme janë problemet që lidhen me ambientin. Këto nuk janë termocentrale por gjeneratorë gjigandë që funksionojnë me naftë të rëndë e cila ka në përbërje 50 miligram për litër squfur, e ndaluar për t’u përdorur dhe me këtë toksicitet do krijojë një ndotje në Vlorë të barabartë sikur të shtohen 100 mijë makina”.
