Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se kryeministrin Edi Rama e ka kapur tmerri i protestës së 7 korrikut, protestë të cilin ai e quan më të fuqishmen e viteve të fundit.
Po ashtu ish-kryeministri, pasi ftoi qytetarët që të jenë pjesë e protestës, akuzoi Kuvendin për aktin normativ për kompensimin e kompanive të ndërtimit që u miratua një ditë më parë.
“Tmerri i protestës e ka detyruar Edi Ramën të shpallë konferencë në një orë me ne. Por sytë e qytetarëve janë te ne. I drejtoj thirrjen në emër të frontit për shpëtimin e Shqipërisë, qytetarëve që të bashkohen më 7 korrik në orën 19:00 para Kryeministrisë në protestën më të fuqishme. Motivet e kësaj proteste janë të fuqishme. Orët e harxhuara në këtë protestë nuk do të kenë mision më të madh. Ky popull po injorohet nga regjimi i Ramës, njëlloj si në diktaturë. Akti i parlamentit tejkalonte dhe imagjinatën. Dje Rama vendosi me ligj që qindra milionë euro të fituara duke pirë gjakun e qytetarëve shqiptare me bordet shushunja, në vend që t’u rikthehen atyre që kanë problem kafshatën e gojës, që nuk blejnë dot ilaçe, atyre që po iu falimentojnë fermat, Rama i shpërndau me klientët e tij”, tha Berisha.