Kryetari i PD-së, Sali Berisha edhe këtë të martë përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se protestat janë një përballje jetë a vdekje për demokracinë.
Sipas Berishës, shuarja e opozitës do të nënkuptonte shuarjen e sovranitetit të brendshëm, ndërsa ai akuzoi qeverinë për lidhje me struktura kriminale dhe për kontroll të paligjshëm mbi të dhënat e qytetarëve. Kreu i PD-së deklaroi se beteja e opozitës do të vazhdojë deri në largimin e qeverisë aktuale, ngritjen e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve te reja.
“Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje jetë a vdekje të demokracisë shqiptare. Edi Rama nuk do ti heqë imunitetin lubi Ballukut sepse eshte vetë prapa akteve të kryera prej saj. Edi Rama po blen kohë. Është i gatshëm dhe i aftë të ndryshojë çdo ligj dhe rregullore që të nxjerrë gjithçka jashtë përgjegjësisë ligjore. Kjo do të shënonte vdekjen e opozitës dhe asgjësimin politik të saj.
Mbrëmë Rama u shkarkua nga detyra. Para botës është një kapobandë, një avokat mjeran që fshihet pas Lubi Ballukut, pas Ergys Agasit e të tjerë me rradhë. Duke falenderuar me mirënjohjen më të madhe të githë ata që lanë çdo gjë dhe mbushën sheshin. I ftoj të jenë të gatshëm të përshkallëzojnë luftën, deri në përmbushjen e misionit. Misioni ynë është largimi i kësaj qeverie, qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme”.
