Sali Berisha fton të rinjtë që të bëhen fytyra dhe mesazherët e fushatës për të fituar zgjedhjet e 11 majit. Në konferencën “Fushata elektorale dhe komunikimi”, Berisha u kërkoi të rinjve që të përcjellin në çdo derë dhe te çdo qytetar programin elektoral të PD-së.
”Shqipëria shembet po t’i lësh ata në gjendje të mjerë. Ndaj ne do vendosim minimumin jetik. Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Rroga minimale do jetë 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro.
Çdo javë mbyllen ndërmarrjet e eksportit për shkak të rënies së vlerës së euros me 35 përqind. Dhe çfarë euro është? Është narkoeuro! Imagjinoni ju, nga viti 2023-2024, eksportet ranë me 32 përqind. Qeveria mbron kursin, kompenson kursin që droga ia uli euros dhe i kompenson eksportuesit për aq sa ka rënë euro dhe nuk humbasin qindra vende pune dhe nuk bllokohet prodhimi. Pra, Made in Albania do jetë krenari kombëtare.
Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Shqipëria do ketë çmimin më të ulët të energjisë dhe do shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme të prodhimit të energjisë nga dielli, uji, era dhe gazi”.