Gjatë takimit me demokratët e Fierit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka cituar edhe pjesë nga plani qeverisës që do të ketë PD kur të marrë pushtetin.
Dy pikat e këtij plani të zbuluara sot nga Berisha ishin fillimisht çështja e pronave, që do të marrë zgjidhje të menjëhershme. Sipas ish-kryeministrit, kjo është parësore për programin e PD-së.
“PD duhet të zgjedh çështjen e pronave si qeveria. Aty ku është do rikthehet e plotë dhe aty ku nuk ekziston do shpërblehet me çmimin e tregut. Ky është qëndrim i prerë dhe i qëndrojmë plotësisht. Kjo Shqipëri dhe ky vend ka nevojë të konsolidojë pronën që njerëzit ta duan edhe më shumë që njerëzit të lidhen edhe më shumë me këtë vend. Se s’ka gjë më të rëndësishme se vendi. E kemi pjesë parësore të programit tonë”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, lideri historik i demokratëve përmendi edhe naftëtarët dhe minatorët për të cilët tha se pas të dënuarve politik, ata meritojnë më shumë se të gjithë që të shpërblehen.
“Për naftëtarët dhe naftën është qëndrim dhe padrejtësi e madhe që bëhet për ta dhe për minatorët. Në mbarë vendin. Pas të përndjekurve politik që i kanë kaluar në burgje e kampe rininë e jetën. Ata që meritojnë më pas në vlerësimin tim shpërblim më të madh për atë që kanë bërë janë minatorët dhe naftëtarët”, theksoi ai.
Mes të tjerash, Berisha tha se renta e mineraleve dhe të naftës duhet të rivendoset. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se iu “ngrohën” xhepat dhe anuloi rentën që parashikonte shpërblime për komunitetin ku kryheshin aktivitete të nxjerrjes së mineraleve dhe naftës.
“Rama hoqi rentën minerale dhe të naftës. Për të shpërblyer komunitetet. Për t’i pasur ata. Me një akt absurd renta u anulua. Ajo është një kush se ne u anëtarësuam në transparencë iniciativë të OKB. Si duket ia ngrohën xhepin por kjo do marrë fund”, deklaroi Berisha.
