Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ka sakrifikuar shumë për t’u rikthyer në garë për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Ai tha se e kishte ndërtuar jetën e tij me projekte të tjera, teksa tregoi se të afërmit kishin dyshime mbi vendimin e tij.
Berisha u shpreh se fëmijët e kishin pyetur nëse ishte i sigurt do të kishte sërish mbështetjen e qytetarëve dhe ai ishte përgjigjur se nuk kishte asnjë siguri.
“Vetë rikthimi është sakrificë. Kisha ndërtuar jetën time me projekte të tjera. Unë pothuajse i kam sakrifikuar ato dhe mora rrugën e rikthimit. Nuk ishte një rrugë e lehtë. Ditën që unë kam marrë vendimin, më thanë fëmijët: ‘Sa i sigurtë je ti që do kesh mbështetje’. ‘Aspak’, i thashë unë. Unë iu adresova dy fibrave të demokratëve. Së pari, vlerësimet që ata kanë për përpjekjet e njeriut për dinjitetin njerëzor dhe së dyti vlerësimin që kanë ata për sovranitetin e vendit. Asnjë betejë nuk e kam nisur i sigurt se do fitoj. Jo vetëm që nuk pendohem, por i jam mirënjohës atyre dhjetëra mijërave qytetarëve dhe demokratëve që më kanë mbështetur dhe frymëzuar”, tha Berisha në “Kjo Javë”.
