Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari e ka konsideruar një inskenim nga qeveria, dhunën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e sotme. Sipas saj, ky incident i intereson kryeministrit Edi Rama për të nxjerrë keq protestën e opozitës në sytë e liderëve të Europës.
E ftuar në emisionin “Now”, Hajdari komentoi edhe reagimet e mazhorancës lidhur me këtë incident. Sipas saj, reagimet e qeverisë ishin të vakëta dhe tallëse.
Hajdari: Sot kisha menduar se dhunën fizike ndaj politikanëve e kishim lënë pas. Fakti që u kthye sot, më vjen keq sepse ky akt barbar nuk mund t’i interesojë askujt tjetër veç mazhorancës. Duke parë që opozita të dilte në shesh në mënyrë paqësore, u interesonte që t’i justifikonte Rama liderëve europian se atje po bëhet një protestë e dhunshme. Donin të inskenonin një akt barbar që të tërbonte turmën.
Turma nuk reagoi. U tregua shumë e qetë. Sot nuk keni asnjë lloj justifikime. Reagimet e mazhorancës ishin shumë të vakëta, gati tallëse. Prononcimet e ministrave, gati tallëse. Kjo nuk është histori për opozitën. Duhet të marrë fund sepse krijojmë një precedent të rrezikshëm për një kryetar opozite në të ardhmen. Duhet të marrë fund edhe dhuna verbale e Edi Ramës në Parlament.