“Europa është rruga e duhur, jo rruga e Ramës”, është slogani që do të ketë protesta e thirrur nga Sali Berisha, të cilën e zbuloi gjatë konferencës me gazetarët në selinë blu. Sipas Berishës, vendi i PD-së më 6 dhjetor është në rrugë dhe vetëm në protestë në mbrojtje të vlerave evropiane në Shqipëri.
“PD-ja është forca më perëndimore e Shqipërisë dhe shqiptarëve. PD-ja ka bërë më shumë se kushdo tjetër për integrimin e Shqipërisë në institucionet perëndimore. PD-ja është forca e parë që kërkoi futjen e Shqipërisë në NATO, ajo kërkoi asociimin në BE që në vitin 1992 dhe nënshkroi më vonë këtë marrëveshje. Ajo hoqi vizat me BE-në. Ajo paraqiti kërkesën për kandidat në BE. PD-ja ka votuar gjithmonë pro-Perëndimit. Prandaj vendi i saj më 6 dhjetor është në rrugë dhe vetëm në protestë në mbrojtje të vlerave evropiane në Shqipëri”.
