Kreu i PD-së, Sali Berisha ka mbledhur këtë të martë në selinë blu krerët e degëve të Tiranës.
Duke u ndalur te protesta e 7 korrikut, lideri historik i të djathtës u shpreh se pjesëmarrja e lartë kaloi çdo pritshmëri.
Gjatë fjalës së tij, ai hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin u shpreh se ka vendosur në rrezik jetën e çdo shqiptari.
Sipas tij, Rama ka tentuar të fshijë opozitën dhe demokracinë në vend, ndërsa shtoi se shpëtimi i Shqipërisë nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhet vjen vetëm nga Partia Demokratike, shoqëria civile dhe partitë e tjera opozitare.
“Kjo përbën një ogur të bardhë për Shqipërinë që është në rrezik për shpëtimin e saj. Përpjekje më antidemokratike dhe më të turpshme u bënë që të vendosin nën kontroll të paligjshëm opozitën shqiptare. Ta mbajnë këtë opozitë në vegël të qeverisë, të një njeriu i cili është armik i egër i lirisë dhe votës së shqiptarëve, të një njeriu i cili rrëmbeu dhe shkelmoi votat e shqiptarëve vendosi të fshijë pluralizmin nga harta politike e vendit. Ju them këto që duhet të qartësoni çdo demokrat dhe qytetar të këtij vendi se çfarë rrezik ekzistencial përbën Edi Rama dhe çfarë prove e madhe na pret ne. A do vazhdojmë ne t’i lejojmë këtij zotërie të ecë në këtë mënyrë dhe të shkelmojë arritjet e shqiptarëve në këto 30 vite dhe të na kthejë në kohën e etërve të tij. Ka një vit që bën lojën e turpshme dhe primitive me pseudo-opozitë. Në këtë kontekst kjo është një betejë për jetë a vdekje për demokracinë shqiptare, e cila de fakto të vetmen gjë që ka, ka atë arritje atë të 7 korrikut, opozitën e vërtetë në shesh-betejë. E them këtë para jush me lutjen që ta ndërgjegjësojmë veten dhe qytetarët se shpëtimi vjen vetëm nga Partia Demokratike, shoqëria civile dhe partitë e tjera opozitare. Ne jemi ata që duhet të vendosim për të marrë fatin në dorë.”
