Rusia vendosi sot sanksione kundër Presidentit amerikan Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, gjithsej 13 persona u futën në listën e zezë.
Moska, në përgjigje të sanksioneve të Uashingtonit, ndaloi presidentin amerikan Joe Biden dhe 12 zyrtarë të tjerë amerikanë të hyjnë në Rusi. Në një mesazh të lëshuar nga Ministria e Jashtme ruse të martën, njoftohet se Biden dhe Blinken e zyrtarët e tjerë, janë shpallur persona non grata dhe janë futur në listë të zezë.
“Në përgjigje të një sërë sanksionesh të papreçedenta, në bazë të parimit të reciprocitetit ndalojmë hyrjen në territorin e Federatës Ruse, që nga 15 marsi, për Presidentin Joe Biden, Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken, Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe një sërë shefash departamentesh dhe figura të njohura amerikane”.
“Ky hap, i marrë si kundër reagim, ishte pasojë e pashmangshme e kursit jashtëzakonisht rusofobik të ndërmarrë nga administrata aktuale amerikane, e cila, në një përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur hegjemoninë amerikane, është mbështetur në kontrollin frontal të Rusisë, duke hedhur poshtë çdo normë”, – thuhet në dokument.
“Lista e ndalimit”, e cila është publikuar në faqen e internetit të departamentit diplomatik rus, përfshin:
Presidenti i SHBA Joe Biden;
Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken;
Shefi i Pentagonit Lloyd Austin;
Asistenti i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Jake Sullivan;
Drejtori i CIA-s, William Burns;
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mark Milley;
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki;
Zëvendës Ndihmës i Presidentit për Sigurinë Kombëtare Duleep Singh;
Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar Samantha Power;
Djali i Presidentit të SHBA, Hunter Biden;
Ish-sekretarja amerikane e shtetit dhe ish-kandidatja për presidente Hillary Clinton;
Zëvendës Sekretari i Parë i Thesarit i SHBA-së Adewail Adeyemo;
President dhe Kryetar i Bordit Drejtues të Bankës së Eksport-Importit Reta Joe Lewis.
Ministria e Jashtme ruse tha se në të ardhmen e afërt Moska do të shpallë zgjerimin e listës së personave të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi, duke përfshirë zyrtarë të lartë nga disa vende të botës. “Në të ardhmen e afërt, do të pasojnë më shumë njoftime për të zgjeruar listën e sanksioneve për të përfshirë zyrtarë të lartë, ushtarakë, ligjvënës, biznesmenë, ekspertë dhe njerëz të medias që janë rusofobikë ose që kontribuojnë në nxitjen e urrejtjes kundër Rusisë dhe futjen e masave kufizuese. ” thuhet në deklaratë
