Sevilja është finalistja e parë e këtij edicioni të Ligës së Europës. Skuadra spanjolle, rekordmene për fitoren e trofeut me 5 të tillë, ka arritur të kalojë një nga kundështarët më të kuotuar për suksesin përfundimtar, Mançester Junajtid, me një përmbysje mjaft të bukur.
Anglezët në fakt kaluan të parët në avantazh me anë të penalltisë të Bruno Fernandes që në fillimin e takimit. Por ata nuk arritën të administronin këtë rezultat dhe u ndëshkuan nga Suso në gjysmën e pjesës së parë.
Pjesa e dytë pa Mançester Junajtid të ishte më dominues në lojën e tij duke krijuar disa raste për shënim. Por britanikët u gjendën të papërgatitur në një moment dhe u ndëshkuan nga kombinimi mes Navas dhe De Jong, me këtë të fundit që dërgoi topin në rrjetë kur mbeteshin pak më shumë se 10 minuta lojë deri në mbylje të ndeshjes. Pavarësisht tentativave, Mançester Junajtid nuk ia doli që të shënonte përsëri dhe kësisoj i dha lamtumirën turneut, duke lënë anglezët pa asnjë përfaqësues në Kupat e Europës në këtë edicion.
Sevilja-Mançester Junajtid 2-1
26′ Suso, 78′ De jong / 9′ (p) B. Fernandes