Kohët e fundit, edhe pse është një vend prodhues i energjisë, Shqipëria po vuan pasojat e mëdha të krizës energjitike. Kjo gjë varet faktikisht edhe nga moti, për shkak se Shqipëria prodhon energji nëpërmjet hidrocentraleve. Kështu, thatësira ka bërë që në Liqenin e Fierzës, niveli i ujit të bjerë ndjeshëm, kjo ndikuar edhe nga nevoja për të prodhuar energji në kushtet aktuale ku ndodhemi.
Aktualisht, niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rreth 17 metra larg ‘pikës së vdekjes’. Ndërkohë sipas asaj që raporton KESH, prurjet në Kaskadën e Fierzës janë më pak se 80 m3/s, ndërsa punohet me tre turbina.
Niveli i rënies së ujit është afruar pranë “pikës së vdekjes” që është 240 metra. Aktualisht niveli i ujit është 257, ose 17 metra larg pikës së vdekjes. Pika optimale në këtë liqen është 271 metër ndërsa pika maksimale kur ka reshje të bollshme shkon në 296 metër.
