Mjeku Ilir Alimehmeti ka publikuar një studim të fundit të bërë nga studiuesit e Universitetit të Utah dhe ata të Stanford, lidhur me mitin e ndikimi të grupit të gjakut mbi simptomat e koronavirusit. Me anë të një postimi në Facebook, Alimehmeti shkruan se duhet të tregojnë kujdes por edhe të mos shqetësohen pasi grupi i gjakut nuk ka ndikim në infektim dhe as në pasoja.
“Autorët dalin në përfundimin e mëposhtëm: Duke marrë parasysh kampionin e madh të studiuar, metodologjinë prospektive të studimit dhe rezultatet e forta nule, ne mendojmë se nuk ka gjasa që të ketë lidhje të rëndësishme ndërmjet SARS-CoV-2/COVID-19 me grupet e gjakut AB0. Grupet AB0 të gjakut nuk janë faktorë të lidhur me cënueshmërinë nga sëmundja ose rëndesën e saj qoftë në nivel individual, qoftë në nivel popullate. Pra, miqtë e mi, zbatoni masat, ruani veten, por të paktën mos u shqetësoni për grupin tuaj të gjakut!,”-shkruan ai.
REAGIMI I PLOTË:
Ajo çka mëson nga një jetë në shkencë është pafundësia e injorancës sonë.” Cit.: Dr. David Eagleman. Miqtë e mi, e mbani mend debatin mbi grupin e gjakut dhe COVID-19? Shumë persona u panikosën, pasi ishin me grup gjaku A pozitiv, megjithëse në praktikë klinike nuk po e vinim re një gjë të këtillë. Një studim i sapobotuar në JAMA (Journal of the American Medical Association) më 5 prill 2021 hodhi poshtë çdo hije dyshimi mbi këtë çështje. Studiuesit e Universitetit të Utah dhe Universitetit Stanford studiuan të dhëna nga një rrjet me: 24 spitale, dhe 215 klinika mjekësore, ku u trajtuan 107.796 persona me COVID-19 në total. Asnjë grup gjaku nuk kishte diferencë për sa i përket: infektimit nga SARS-CoV-2, shtrimit në spital me COVID-19, dhe shtrimit në terapi intensive. As në analizën e kufizuar vetëm për racën e bardhë nuk u gjet asnjë diferencë ndërmjet grupeve të ndryshme të gjakut. Autorët dalin në përfundimin e mëposhtëm: Duke marrë parasysh kampionin e madh të studiuar, metodologjinë prospektive të studimit dhe rezultatet e forta nule, ne mendojmë se nuk ka gjasa që të ketë lidhje të rëndësishme ndërmjet SARS-CoV-2/COVID-19 me grupet e gjakut AB0. Grupet AB0 të gjakut nuk janë faktorë të lidhur me cënueshmërinë nga sëmundja ose rëndesën e saj qoftë në nivel individual, qoftë në nivel popullate. Pra, miqtë e mi, zbatoni masat, ruani veten, por të paktën mos u shqetësoni për grupin tuaj të gjakut!
