Shqipëria është pothuajse e gjitha në situatë shumë të rëndë nga moti i keq. Ka përmbytje të mëdha në qarkun e Shkodrës. Është ndërprerë qarkullimi në aksin Shkodër-Tiranë te Harku i Berdicës, probleme janë hasur edhe në furnizimin me energji elektrike, ndërsa mësimi është ndërprerë në disa njësi administrative. Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia ka kërkuar që të shpallet gjendja e emergjencës. Ai ka dalë në terren ku ka takuar ushtrinë që është në gatishmëri për çdo rast nëse do ketë nevoja për evakuim të banorëve.
Qarku Shkodër
1855 hektarë tokë dhe 482 banesa janë përmbytur në Shkodër gjatë natës së kaluar, për shkak reshjeve të dendura të shiut dhe shkarkimeve të hidrocentraleve. Autoritetet njoftojnë se hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.00,shënoi kuotën 7.50 m, ndërsa hidrometri i lumit Drin shënoi kuotën 7.40m, nga 7.50 m që është maksimumi.
Në njësinë administrative Ana e Malit, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë Rruga e Obotit. Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 65 cm. Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Në njësinë administrative Dajç, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 120 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar. Rruga që lidh fshatrat Pentar- Ças ka presence uji ( nuk kalohet me mjete te ulëta)
Në njësinë administrative Velipojë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 165 Ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças. Në njësinë administrative Guri i Zi, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.
Në njësinë administrative Bërdicë, sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 70 Ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme. Janë 30 familje të evakuara, gjithsej 130 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative, Gur i Zi, Bërdicë, Lagja Nr.4, Lagja nr. 1. Të akomoduar në konvikt 2 familje ( 7 persona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit . Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe ne brendësi të banesave gjithsej 482 banesa; Guri I Zi 250 banesa; Bërdicë 102 banesa; Lagja Nr.4, 30 banesa; Lagja nr. 1, 100 banesa.
Qarku Durrës
Gjatë natës së kaluar, lumi i Gjoles ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të tëra toke bujqësore në Bubq të Krujës. Situata paraqitet më problematike në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit në arat e mbjella arrin deri në 45-50 cm. Të rrethuara nga uji janë dhe disa banesa. Vetëm në fshatin Murqinë të njësisë administrative Bubq ka rreth 150 hektarë të përmbytur nga lumi i Gjoles. 10 banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Qarku Lezhë
Një situatë problematike paraqitet edhe në Lezhë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë natës së kaluar. Lumi Gjadër ka dalë nga shtrati duke vërshuar mbi zonat e banuara dhe duke përmbytur qindra hektarë tokë. Uji ka shkuar pranë banesave, duke bllokuar rreth 15 familje. Si pasojë e vërshimit të ujit është bllokuar edhe rruga Gjadër-Zojz.
Qarku Elbasan
Reshjet e shiut në qarkun e Elbasanit kanë vijuar që prej ditës së djeshme, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar problematika. Akset rrugore nacionale e rurale janë të gjitha të hapura. Ka pasur prani inertesh në sasi të vogël në aksin rrugor Elbasan-Gjinar dhe Gramsh-Moglicë të cilat janë pastruar nga firmat kontraktuese. Në një nivel jo shumë të lartë janë prurjet në përrenjtë e qarkut dhe lumin Shkumbin e Devoll. Furnizimi me energji elektrike është i plotë me përjashtim të 2 fidrave në bashkinë Belsh, 1 fidri në njësinë administrative Tregan të bashkisë Elbasan dhe 1 fidër në Klos të bashkisë së Cërrikut. Strukturat e emergjencave civile të bashkive janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës.
Bie borë në Theth
Reshjet e borës kanë zbardhur Vermoshin dhe Thethin. Sipas ARRSH po punohet për pastrimin në aksin rrugor Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth. Për momentin në aksin Shkodër-Lezhë në pikën Harku i Bedicës, vazhdon devijimi i makinave në rrugën e Gurit të Zi dhe në Dedaj-Bogë vazhdon devijimi për në rrugën alternative. Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet. ARRSH bën thirrje që drejtuesit të tregojnë kujdes, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.