Kreu i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa dhe deputeti socialist, Spartak Braho janë fotografuar sot teksa shtrëngonin duart në Komisionin e Ligjeve pas javë të tëra debatesh dhe akuzash në distancë.
Atë që nuk pranuan të bënin edhe në Gjykatën e Tiranës ku iu kërkua të falnin njeri- tjetrin për akuzat që kishin bërë, Tufa dhe Braho duket se e kanë bërë sot në Kuvend dhe këtë moment e ka fiksuar fotografi Agim Rama.
Kreu i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej një ndryshim ligjor në punën e institucionit që ai drejton.
Një ditë më parë Tufa përmes një postimi në Facebook i kundërshtoi ndryshimet ligjore.
Sipas tij, në rast se nuk merr certifikonte, atëherë personat do largohen nga puna.
Por për Tufën është e qartë se kush janë personat që nuk do e marrin këtë certifikate dhe kjo sipas tij është me porosi.
“Të nderuar gazetarë të vërtetë, Nëse ju intereson farsa e radhës,
Ju njoftoj se ditën e martë, datë 16.07.2019, ora 10:00, në Komisionin e Ligjeve do të zhvillohet mbledhje me rend dite si më poshtë: Shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin 10.242 datë 25.02.2010 “Për institutin e studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri”
Relatore znj. Klotilda Bushka. Bëhet fjalë për ndryshimin e një neni, që na ndalon studimin e periudhës se luftës (këtë sa për sy e faqe) dhe për një ligj që na detyron të pajisemi të gjithë me certifikata sigurie. Kujt nuk do ia japin, ai duhet të lërë punën.
Dhe dihet se kujt nuk do ia japin me porosi. Thjesht na dorëzojnë në duart e ish-oficerëve operativë të ish-Sigurimit famëkeq të diktaturës.
Ne do ta kundërshtojmë vendosmërisht këtë ndërhyrje thellësisht të paligjshme!
Kërkojmë mbështetjen tuaj!”, shkruante Tufa dje.