Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi nëpërmjet një video-mesazhi ka shprehur vlerësimin e saj për nisjen e Brezit të 3-të të programit të trajnimit për drejtues të certifikuar të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar duke nënvizuar se tashmë ky program është në rrugë të mbarë për sa i përket projektit të Shkollës së Drejtorëve. “Në vitin 2019 ky projekt nisi vetëm me 46 pjesëmarrës, duke u pasuar me katërfishimin e këtij numri gjatë vitit 2020. Dhe sot 210 mësues dhe drejtues do të fillojnë trajnimet dhe zhvillimin profesional për drejtues në shkolla”- thekson Ministrja Kushi në video-mesazh.
Ndërkohë, ajo shpreh mirënjohjen për Fondin Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili është partner në zbatimin e këtij projekti.
“Sot më shumë se kurrë, nisur edhe nga situata e pandemisë, kemi kuptuar akoma më mirë nevojën e rritjes menaxheriale të drejtuesve të shkollave tona, që do të arrihet përmes këtij programi” – nënvizon Ministrja Kushi duke shtuar se një drejtues i mirë e kthen kapacitetin në vision dhe krijon një klimë të përshtatshme për zhvillimin e lidershipit të ri.
Programi i trajnimit bazohet në një model të suksesshëm ndërkombëtar dhe është përshtatur në kontekstin shqiptar, me qëllim fuqizimin e rolit të drejtuesve të shkollave dhe për të mbështetur rritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar. I ndërtuar mbi modelin e Institutit “Avney Rosha” në Izrael dhe bazuar në nevojat e kontekstit shqiptar, programi 9-mujor i trajnimit synon të zhvillojë kapacitetet drejtuese dhe menaxheriale të drejtorëve në detyrë dhe aspirantëve për tu bërë drejtues shkolle.
