Dy të rinj shqiptarë, Artan Palluci, 29 vjeç dhe Elidon Elezi, 22 vjeç, akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e Tomasz Waga më 28 janar 2021. Autoritetet britanike i kanë shpallur në kërkim dhe kanë vënë në dispozicion një shpërblim deri në 10 mijë paund, për ata që do të ndihmojnë ose do të japin informacione që do të bëjnë të mundur gjetjen e tyre.
Inspektori detektiv Stuart Wales, nga Policia e Uellsit të Jugut, tha: “Kufijtë ndërkombëtarë nuk janë pengesë për ne që të ndjekim personat e dyshuar për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi lidhje të shkëlqyera me kolegët e zbatimit të ligjit në të gjithë Evropën, përfshirë Shqipërinë. Unë do t’i bëj thirrje Pallucit dhe Elezit që është në interesin e tyre të dalin vullnetarisht dhe të rrëfejnë për atë që ka ndodhur më janar 2021.”
Tomasz Waga, i cili ishte nga Polonia dhe jetonte në Essex të Anglisë u gjet i vdekur në rrugë. Arsyet e vrasjes së të riut nuk dihen ende.
