Pas pandemisë qytetarët që zgjedhin të paguajnë në formë elektronike po shtohen gjithnjë e më shumë. Sipas Bankës së Shqipërisë përdorimi i kartave dhe pagesave dixhitale është rritur me gati 20% çdo vit.
Për të përhapur më tej këtë formë pagese, Banka e Shqipërisë ka hartuar me Ministrinë e Financave një projektligj që u mundëson shtresave vulnerabël si studentëve, pensionistëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike të pajisen me llogari pagesash pa asnjë kosto.
“Edhe në rastin kur këta pensionistë kanë llogari rrjedhëse sot në bankë, e marrin pensionin e tyre nëpërmjet bankës, do kenë mundësi që këtë llogari rrjedhëse ta shndërrojnë në një llogari bazike dhe me këtë rast do të ulen edhe kostot që ata kanë për mirëmbajtjen e llogarisë pranë bankës”.
Projektligji për llogaritë e pagesave me shërbime bazike parashikon lehtësira edhe për kategoritë e tjera të shoqërisë, që për shkak të kostove nuk kanë ende një llogari pagesash.
“Bankat do jenë të detyruara që t’i hapin këto llogari jo më shumë se me 15% të kostove me të cilat ato sot hapin një llogari rrjedhëse”.
Kartat bazike do përdoren për të bërë pagesa dhe transferta vetëm brenda për brenda Shqipërisë.
“Pra do jenë më të kufizuara shumat që mund të paguajnë apo të bëjnë transferta”.
Projektligji mundëson po ashtu formalizimin e ekonomisë, pasi në jo pak raste përdorimi i parave kesh është shkak i veprimtarive abuzive. Brenda vitit 2023 Banka e Shqipërisë synon që 70% e popullsisë të ketë një llogari bankare.
